Qeveria në detyrë e Kosovës, javën e ardhshme do të fillojë së zbatuari masën e parë nga Programi i rimëkëmbjes ekonomike, që u prezantua të premten nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Kjo masë arrin vlerën prej 6.5 milionë eurosh që përfitojnë të vetë-punësuarit, (avokatët, rrobaqepësit, këpucëtarët, etj) që llogariten të jenë deri në 21 mijë, të cilët nuk kanë përfituar nga pakoja e kaluar, tha për Radion Evropa e Lirë, ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami.
Pas kësaj, për muajin janar do të shpërndahen edhe shtesat për pagat e punëtorëve të sektorit të Shëndetësisë dhe atyre të Policisë së Kosovës. Me rritje prej 30 eurosh, në këtë muaj do t’i marrin pensionet e tyre qytetarët mbi moshën 65 vjeç, që përfitojnë më pak se 100 euro në muaj. Edhe skemat sociale për këtë muaj do të shpërndahen të dyfishuara.
Zbatimi i masave tjera varet nga caktimi i kritereve nga ministritë përkatëse.
Bajrami tha se në bazë të Gjykatës Kushtetuese, qeveria është në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re, kështu që, sipas saj, qeveria aktuale ka të gjitha kompetencat ligjore, për zbatimin e buxhetit të këtij viti.
“Masat që kemi shpërndarë të premten, ky është planifikim sepse edhe buxheti është projeksion, pra mjetet qysh vijnë në buxhet edhe shpenzohen”, tha Bajrami.
Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky vendim mund të zbatohen pasi ka qenë në kuadër të Ligjit për buxhetin e Kosovës, që është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe se ligji është në fuqi.
Megjithatë, ai shprehet se qeveria e re e zgjedhur nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, mund të rishikojë vendimet e qeverisë në detyrë.
“Kjo ndoshta nuk ka nevojë të shihet si fushatë, nëse e lejon ligji dhe e kërkon ligji një veprim të tillë, gjithçka është në rregull”, thekson Spahija.
Qeveria në detyrë e Kosovës, të premten njoftoi se janë aprovuar 16 masat për zbatimin e Programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021 në vlerë prej 222.4 milionë eurosh për sektorë të ndryshëm në emër të rimëkëmbjes ekonomike. Në këto masa përfshihen ndihma për sektorin privat, shëndetësor dhe skema sociale.
Vlera më e madhe, prej 50 milionë eurosh është ndarë për sektorin e Shëndetësisë, 40 milionë euro për blerjen e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19 dhe 10 milionë euro për blerjen e aparateve të tjera mjekësore për menaxhim të pandemisë.
Më shumë se 45 milionë euro janë ndarë për mbulimin e kostos së tarifës së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, 12 milionë euro për sektorin e Bujqësisë, 11 milionë euro shtesa në pagë për sektorin që bart barrën kryesore në menaxhimin e pandemisë.
Ndërsa, tre milionë euro janë ndarë për subvencionimin e sektorëve të prekur nga vendimet e Qeverisë për ndalimin e aktiviteteve (gastronomia, sallat e dasmave, sallat e sportit, qendrat rehabilituese dhe të ngjashme).
Me këtë vendim janë rritur për 30 euro edhe skemat pensionale për individët që përfitojnë më pak se 100 euro në muaj. Kjo rritje do të vlejë për tre muajit e ardhshëm. Kurse, vlera e skemave sociale është dyfishuar.
Hoti tha se tashmë obligohen ministritë përkatëse që t’i përgatisin shpejt udhëzimet dhe kriteret e nevojshme për shpërndarjen e kësaj shume.
“Ministria e Financave i ka marrë të gjitha obligimet e nevojshme që të mobilizojë sa më parë këto fonde për t’i futur në ekonomi dhe për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës”, tha Hoti në një konferencë për media.
Rukiqi: Shuma e ndarë për sektorin privat, e pamjaftueshme
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehet se shuma e ndarë për bizneset është jashtëzakonisht e vogël dhe e pamjaftueshme për kërkesat dhe nevojat e bizneseve që kanë pësuar humbje nga pandemia. Ai thotë se do të kërkojë nga qeveria në detyrë që t’i ndryshojë disa nga masat.
“Pritjet tona kanë qenë, që rreth 200 milionë euro do të futen në forma të ndryshme në sektorin privat, duke parë që në sektorin privat është mundësia për krijimin e vendeve të reja të punës. Por, brenda kësaj shumë, ne shohim që ka fond për blerjen e vaksinave dhe skema sociale. Të dy janë të domosdoshme, por është dashur që këto të jenë në një buxhet të veçantë”, vlerëson Rukiqi.
Në bazë të vendimit të qeverisë në detyrë, një ndër masat është ndarja e 6.5 milionë eurove, për vazhdimin e subvencionimit në emër të linjës së pagave për bizneset aktive dhe “të vetëpunësuarit”. Pritjet e komunitetit të biznesit, thotë Rukiqi, kanë qenë që kjo vlerë të jetë dhjetëfish më e lartë.
Ai thotë se sektori më i dëmtuar nga vendimet e qeverisë për parandalimin e koronavirusit, ka qenë sektori i gastronomisë, kurse për këtë sektor janë tre milionë euro, mjete këto të pamjaftueshme.
Vlera prej më se 200 milionë eurosh është në kuadër Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, për ndihmë direkte financiare për bizneset të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të pandemisë së koronavirusit.
Ky ligj është miratuar më 4 dhjetor 2020 në Kuvendin e Kosovës, porse ekzekutimi i mjeteve ka qenë i pamundur deri në miratimin e buxhetit të Kosovës, i cili është votuar më 29 dhjetor të vitit të kaluar.
Mbajtja e zgjedhjeve më 14 shkurt në Kosovë pason publikimin e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që konstatoi se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte bërë në mënyrë jokushtetuse. Kjo për shkak se për Qeverinë Hoti kishte votuar Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një dënim të formës së prerë, për veprën penale “mashtrim me subvencione” me dënim prej më shumë se një viti.
Discussion about this post